Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Prideni, nisën më 27 mars 2026 një cikël bashkëbisedimesh me studentë dhe pedagogë të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë.
Ky tur, që do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë, ka fokus dialogun për procesin e integrimit europian dhe të ardhmen e përbashkët evropiane nën titullin "BE dhe Ti – Evropa fillon këtu".
Sipas Ferit Hoxha, ky dialog ka rëndësi të veçantë, sepse takimet zhvillohen më së shumti në Bruksel, por reformat realizohen në Shqipëri. "Monitorimi kryhet atje, por ndikimi ndihet këtu; disa nga vendimet më të rëndësishme merren atje, por rezultatet mbeten këtu, tek qytetarët tanë", deklaroi ai.
Hoxha e cilësoi Bashkimin Evropian si "kantierin tonë të madh", ku secili ka një rol. "Është një histori që po e shkruajmë së bashku, çdo orë e çdo ditë, me punë, përkushtim dhe besim tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë", theksoi ai.
Në takimin me magjistratët e rinj, Adea Prideni u ndal në rolin thelbësor që do të ketë magjistrati pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE. "Sot magjistrati që do të dalë nga kjo shkollë, do të rritet dhe do të zhvillohet profesionalisht jo vetëm në bazën e një profili kombëtar, do të duhet që të projektohet në kualitetin e një gjyqtari që zbatojë legjislacionin evropian", deklaroi ajo.
Sipas Pridenit, nuk matemi më me besueshmërinë e reformës, por me besueshmërinë e sistemit në praktikë, me eficencën, konsolidimin e pavarësisë dhe cilësinë e drejtësisë.