Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi më 28 prill një bashkëbisedim me brezin e ri të diplomatëve në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në fokus ishte roli i të rinjve në forcimin e shërbimit diplomatik shqiptar dhe sfidat e së ardhmes.
Gjatë takimit, Hoxha nënvizoi rëndësinë e ndarjes së dijes dhe përvojës si bazë për ndërtimin e një brezi të ri profesionistësh në diplomaci. "Dija dhe përvoja marrin kuptimin e tyre të plotë vetëm kur ndahen dhe transmetohen te brezi i ri", u shpreh ai.
Sipas ministrit, Shqipëria ka nevojë për një brez të ri diplomatësh, të pajisur me aftësi bashkëkohore dhe vizion, për t’u përgjigjur një bote gjithnjë e më dinamike dhe për të përballuar integrimin evropian. "Vendi ynë ka nevojë për një brez të ri diplomatësh, të pajisur me aftësitë dhe vizionin për të përballuar një botë gjithnjë e më dinamike, si dhe plotësisht të sinkronizuar me ritmin e ri të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane", tha ai.
Hoxha theksoi se një diplomaci e hapur ndaj talenteve të reja është thelbësore për Shqipërinë 2030. Në këtë kuadër, ministria ka hapur dy thirrje: një për krijimin e një rezerve të strukturuar talentesh dhe një tjetër për përfshirjen e të rinjve në misionin shqiptar pranë Bashkimit Evropian.
"Investimi te të rinjtë sot është garancia për një shërbim diplomatik më të fortë nesër dhe për një Shqipëri që ecën me siguri drejt familjes evropiane", shtoi kreu i diplomacisë. Takimi diskutoi gjithashtu plane, ambicie dhe dëshira të të rinjve për të kontribuar në shërbimin e jashtëm.