Qeveria shqiptare mbajti më 19 mars mbledhjen e saj të radhës, ku miratoi vendime për ligje dhe projektligje në disa ministri. Pas mbledhjes, ministrat dolën para mediave për të shpjeguar vendimet e marra dhe për të përgjigjur pyetje mbi aktualitetin politik, ekonomik e social.
Ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi foli për çmimet e karburanteve në kontekstin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe luftës në Iran. Ai konfirmoi deklaratën e bërë një ditë më parë nga ministrja e Ekonomisë Delina Brahimaj, se nuk parashikohet ulje e taksës së qarkullimit apo akcizës. Sipas tij, tregu i karburanteve do monitorohet dhe mund të vendoset një çmim tavan nëse konstatohen abuzime.
Lidhur me taksën e qarkullimit, Karakaçi sqaroi se kjo taksë ekziston në vendet e Bashkimit Evropian, por është e segmentuar në pagesa të ndryshme. "Taksa e qarkullimit që të ulet 45 lekë, do të thotë që të jetë aq. Por nuk është aq. [...] Marrja e taksës së qarkullimit në pikën e karburantit është më e mirë, pasi ai që paguan më shumë litra karburant, ka më shumë taksa", tha ai.
Sa i përket tregut të naftës, ministri theksoi se situata ndiqet në mënyrë dinamike. "Jemi duke ndjekur në mënyrë dinamike tregun e karburanteve. [...] Kemi Bordin e Transparencës, i cili mund të krijohet me një vendim. Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizimin, pasi nafta vjen nga rrugë të tjera detare", u shpreh Karakaçi.