Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një vizitë pune në Republikën Federale të Nigerisë, ku është pritur nga Sekretari i Qeverisë së Federatës, senatori George Akume.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social X, Konjufca shprehu kënaqësinë për mikpritjen e ngrohtë të treguar nga ana e zyrtarit të lartë nigerian dhe kabinetit të tij. Gjatë takimit, palët kanë shprehur interes për të ndërtuar një angazhim konstruktiv dhe për të eksploruar rrugët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Kjo vizitë është ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve institucionale për thellimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Nigerisë.