Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufi, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore (CEDC) dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo pri Kranju, Slloveni. Takimi shërbeu si platformë për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe adresimin e sfidave të përbashkëta në mjedisin aktual gjeopolitik.
Gjatë zhvillimit të punimeve, Ermal Nufi nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, duke theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar aktivisht në iniciativat rajonale dhe ndërkombëtare. Ai veçoi Task Forcën Mjekësore Ballkanike si model të suksesshëm të zhvillimit të kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë, me qëllim përshpejtimin e integrimit euroatlantik.
Sipas ministrit, në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, koordinimi i ngushtë midis aleatëve dhe partnerëve është prioritar për garantimin e paqes dhe mbrojtjen kolektive. Pjesëmarrësit në ministerial u përqendruan gjithashtu te koordinimi i politikave në kuadër të Bashkimit Evropian.
CEDC është format bashkëpunimi që përfshin shtetet e Evropës Qendrore: Austrinë, Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, Kroacinë dhe Slloveninë, e cila mban presidencën e këtij viti. Polonia merr pjesë në këtë format me statusin e vëzhguesit.