Në takimin me vendet anëtare mbi Planin e Përshpejtimit të Barazisë Gjinore të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, më 12 mars 2026, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, konfirmoi angazhimin e fortë të Shqipërisë për të çuar përpara politikat dhe reformat që fuqizojnë gratë dhe vajzat.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi se barazia gjinore është prioritet i qartë i qeverisë shqiptare dhe element kyç në zhvillimin demokratik, si dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ajo vlerësoi rëndësinë e Profilit të Barazisë Gjinore për Shqipërinë, të hartuar në bashkëpunim me sistemin e OKB-së dhe partnerët kombëtarë, i cili analizon progresin e arritur dhe sfidat e mbetura.
Ministrja nënvizoi hapat e rëndësishëm të Shqipërisë në rritjen e përfaqësimit të grave në jetën publike, aksesin në arsim dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna. Qeveria angazhohet të adresojë sfida si fuqizimi ekonomik i grave, shpërndarja më e drejtë e përgjegjësive të kujdesit të papaguar dhe lufta kundër formave të dhunës, përfshirë ato në hapësirat digjitale.
“Barazia gjinore nuk është një privilegj i dhënë nga një gjini tek tjetra. Ajo është një e drejtë themelore e njeriut dhe një investim i mençur për zhvillimin e shoqërisë. Shoqëritë që fuqizojnë gratë dhe vajzat ndërtojnë ekonomi më të forta, institucione më gjithëpërfshirëse dhe demokraci më të qëndrueshme,” u shpreh ministrja.
Ajo përmendi reformat ligjore të fundit, si Ligjin e ri për Barazinë Gjinore, i cili forcon përgjegjësinë institucionale dhe njeh vlerën ekonomike e sociale të punës së kujdesit të papaguar, si dhe Ligjin e ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna.