Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, pa praninë e deputetëve të opozitës të angazhuar në përgatitjet e protestës së shtunës, është diskutuar dhe miratuar një ndryshim në Kodin Penal më 23 janar 2026.
Parkimi dysh i automjeteve, i ndëshkuar deri tani vetëm me gjobë, kthehet në vepër penale të dënueshme me burg. Relatori socialist, deputeti Ervin Hoxha, shpjegoi arsyet:
- Rritja e sigurisë rrugore dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve duke ndëshkuar parkimin në rresht të dytë që pengon qarkullimin e mjeteve emergjente;
- Parandalimi i bllokimeve totale të rrugëve dhe pengesave serioze për këmbësorët, duke mbështetur lëvizjen e lirë dhe të sigurt të qytetarëve;
- Forcimi i efektit parandalues të ligjit penal në mënyrë që qytetarët të respektojnë hapësirat e qarkullimit dhe të kontribuojnë në sigurinë publike;
- Sigurimi i një kuadri ligjor të qartë dhe të efektshëm për institucionet e zbatimit të ligjit, duke mundësuar ndërhyrje të shpejta dhe të efektshme në situata emergjente.
Ndryshimet parashikojnë dekriminalizimin e shpifjes dhe rritjen e mbrojtjes së gazetarëve gjatë punës. Sulmi, kërcënimi apo intimidimi ndaj një gazetari trajtohet me të njëjtin seriozitet si ndaj një punonjësi shteti. Ervin Hoxha theksoi se dënimi për goditjen e gazetarëve në detyrë është nga 1 deri në 5 vite burg.
Në të njëjtin komision miratohen edhe ndryshime në ligjin për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh se këto ndryshime synojnë një sistem të ri elektronik për kontrollin dhe parandalimin e trafikut të jashtëligjshëm.