Sulmuesi Mirlind Daku ka nisur me sukses edicionin e ri në elitën e futbollit rus, duke gjetur rrjetën që në paraqitjen e parë me skuadrën e Rubin Kazanit. Në ndeshjen përballë Krasnodarit, nënkampionit të Rusisë, Daku realizoi golin e epërsisë për rezultatin 1-0 në minutën e 12-të të takimit.
Lojtari mori një top jashtë zonës dhe, pas një manovrimi mes dy mbrojtësve kundërshtarë, e dërgoi atë në rrjetë. Ky gol konfirmon formën e mirë të sulmuesit, i cili edhe sezonin e kaluar ishte një figurë kyçe për Rubin Kazanin, duke realizuar 10 gola në kampionat përpara se një lëndim t'ia ndërpriste ecurinë e mirë.
Në këtë përballje, përveç Mirlind Dakut, nga minuta e parë për skuadrën e Rubin Kazanit u aktivizuan edhe futbollistët kosovarë Nazmi Gripshi dhe Veldin Hoxha. Ndërkohë, futbollisti Dardan Shabanhaxhaj nuk ishte pjesë e përbërjes për këtë sfidë.
Përditësime
Në debutimin e tij në kampionatin rus, Mirlind Daku shënoi golin e vetëm për Rubin Kazan në humbjen 3-1 kundër Krasnodarit. Sulmuesi realizoi pas një aksioni të nisur nga portieri dhe qëndroi në fushë deri në fund të takimit. Skuadra e Rubin Kazanit u përball me vështirësi që në minutën e 18-të, pas përjashtimit të Rozhkovit me karton të kuq, ndërsa Nazmi Gripshi u zëvendësua gjatë pjesës së dytë.