Në grupe të Facebook-ut në Kosovë, nënat postojnë kërkesa si «A ka ndonjë nënë që ka tri vajza dhe pastaj një djalë?», duke kërkuar këshilla për të siguruar që fëmija i radhës të jetë djalë.
Këshillat e dhëna janë të ndryshme: shiko kalendarin kinez, shpërlahu me sodë buke, ndërroje anën e mitrës, mbet shtatzënë në ditën e ovulimit, konsumo mish viçi dhe burri të pijë më shumë kafe.
Specialistja e gjinekologjisë Merita Demiri Demolli shpjegon se nuk ka metoda natyrale për përcaktimin e gjinisë. «Metodat që qarkullojnë si dieta të caktuara, pozicione gjatë marrëdhënieve apo ‘planifikimi’ sipas ovulacionit, nuk kanë bazë të provuar shkencore», thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se përcaktimi i gjinisë bëhet shkencërisht vetëm me fertilizim të asistuar mjekësor (IVF) dhe vetëm për arsye mjekësore, jo për preferenca personale.
Përballë këtyre kërkesave, gratë njëra-tjetrën drejtojnë te gjinekologu Riza Malaj, emrin e të cilit lidhin me histori të lindjes së djemve pas shumë vajzave. Riza Malaj nuk ishte i qasshëm për koment për Radion Evropa e Lirë, pasi u thirr në angazhime të tjera.
Radion Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë gra që shprehin interes, por profilet e tyre anonime në grupe Facebook e kanë bërë të pamundur kontaktin.
Në Kodin Penal të Kosovës nuk parashihet ndëshkim specifik për praktika që pretendojnë përcaktimin e gjinisë me metoda natyrale. Edhe Ligji për Shëndetësi nuk i përmend ato.
Kufizimet ligjore ekzistojnë vetëm për fertilizimin e asistuar mjekësor, ku një udhëzim administrativ ua ndalon klinikave shëndetësore kryerjen për preferenca personale.