Të dhënat e Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë dëshmojnë për rritje të rasteve të braktisjes së foshnjave. Vetëm në janar u braktisën tre foshnje, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan gjithsej 32 raste, të cilat përfunduan në familje strehuese.
Aktualisht, në klinikë qëndrojnë dy foshnje pa përkujdes prindëror. Drejtori i klinikës, Luan Morina, deklaroi për Radio Kosovën se një nga foshnjat e braktisura në janar u dërgua në një familje strehuese përmes ndërmjetësimit të Qendrës për Punë Sociale të komunës përkatëse.
Si arsye kryesore të braktisjes, mjekët përmendin:
- fëmijët jashtëmartesorë;
- varfërinë dhe rrethanat e rënda sociale;
- neglizhencën prindërore dhe dhunën në familje;
- anomalitë e lindura ose sëmundjet e pashërueshme.
Për këto foshnje, opsionet e strehimit dhe përkujdesjes përfshijnë familjet strehuese dhe ato adoptuese.
Në Komunën e Prishtinës, Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Adelina Sahiti, deklaroi se aktualisht ekzistojnë vetëm tre familje strehuese, ndonëse nevojat janë shumë më të mëdha. "Fëmijët nga Prishtina qëndrojnë në komuna të tjera", tha ajo, duke shtuar se synimi është të arrihet të paktën gjashtë familje strehuese në kryeqytet këtë cikël.
Fata Rexhepi, nga Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, shpjegoi se familjet strehuese duhet të plotësojnë kushte specifike, si mosha mbi 25 vjeç, zotësi veprimi dhe mungesë ndjekjeje penale.