Në qytetin e Mitrovicës është zhvilluar një aktivitet nga platforma qytetare Liria Ka Emër, ku u vendos "Ora e Pritjes", e cila shënon numërimin mbrapsht deri më 16 shtator. Ky simbolikë thekson kërkesën për drejtësi dhe kthimin në atdhe të ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, si dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, së bashku me shumë qytetarë. Pjesëmarrësit shpalosën një baner me mbishkrimin "Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!", duke konfirmuar qëndrimin e tyre ndaj proceseve gjyqësore në vazhdim.
Ky aktivitet është pjesë e një sërë organizimesh që paraprijnë "Marshin për Liri". Ky marsh është planifikuar të mbahet më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00, në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë. Përmes kësaj nisme, organizatorët ftojnë qytetarët të shprehin mbështetjen për ish-udhëheqësit dhe për luftën e drejtë të UÇK-së.