Në qytetin e Kaçanikut, në bashkëpunim me institucionin e komunës, është mbajtur aktiviteti Ora e Pritjes. Kjo nismë, e cila është pjesë e platformës qytetare Liria Ka Emër, shënon numërimin mbrapsht drejt datës 16 shtator, në pritje të vendimit lidhur me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesja e platformës Liria Ka Emër, Eliza Hoxha, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, si dhe përfaqësues të ndryshëm politikë, veteranë të luftës, aktivistë dhe qytetarë. Pjesëmarrësit përcillën mesazhin e mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së, duke kërkuar drejtësi dhe kthimin e tyre në atdhe. Mesazhi kryesor i shpalosur gjatë këtij organizimi ishte: “Kosova po pret.”
Aktivitetet e platformës Liria Ka Emër do të vijojnë edhe në ditët në vijim, si pjesë e përgatitjeve për Marshin për Liri. Ky marsh është planifikuar të mbahet më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.
Përditësime
Platforma Liria Ka Emër ka zgjeruar aktivitetin Ora e Pritjes në qytetin e Podujevës. Ndërkohë, Gjykata Speciale ka konfirmuar zyrtarisht datën 16 shtator si ditën e shpalljes së aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së.