Një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale është realizuar me sukses në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) në Tiranë, ku një vajzë vetëm 3 vjeçe iu nënshtrua një operacioni 7-orësh për heqjen e një tumori në trurin e vogël. Pavarësisht kompleksitetit të rastit dhe moshës së vogël të pacientes, ekipi mjekësor arriti të heqë tërësisht tumorin pa shkaktuar pasoja.
Sipas njoftimit zyrtar të QSUT, gjendja e fëmijës pas ndërhyrjes paraqitet e mirë dhe vogëlushja është nën kujdesin e vazhdueshëm të stafit mjekësor. Pas ekzaminimit histologjik, trajtimi i mëtejshëm do të përcaktohet nga Bordi Multidisiplinar Onkopediatrik.
Prof. Dr. Artur Xhumari, i cili drejtoi ekipin, sqaroi se ndërhyrja ishte e domosdoshme për shërimin e fëmijës. Ai konfirmoi se një rezonancë e kryer pas operacionit ka vërtetuar heqjen e plotë të tumorit. Në këtë ndërhyrje morën pjesë gjithashtu anesteziologu Myfit Saraçi, kirurgu asistent Gramoz Brace, si dhe instrumentarët Refije Kadiu dhe Ervin Gjisha.