E ardhmja e sulmuesit Mohamed Salah është përqendruar te skuadra turke e Trabzonsporit, pas përfundimit të aventurës së tij te Liverpooli. Sipas raporteve, palët kanë arritur një akord për një bashkëpunim dyvjeçar. Në paketën financiare, përveç pagës së raportuar prej 17 milionë eurosh, Salah ka siguruar edhe një klauzolë për 20 përqind të të ardhurave nga të drejtat e tij të imazhit, një kusht që më parë pengoi negociatat me klubin e Besiktasit.
Sipas informacioneve, 34-vjeçari pritet të udhëtojë drejt Stambollit për të finalizuar detajet e këtij transferimi. Ky kalim shihet si një nga lëvizjet më të rëndësishme për Trabzonsporin, i cili synon të forcojë radhët e veta për të sfiduar dominimin e Galatasaray-t në kampionatin turk. Nëse transferimi zyrtarizohet, Salah do të bëhet shok skuadre me futbollistin shqiptar Ernest Muçi.
Ndërkohë, gara për shërbimet e egjiptianit mbetet e hapur për shkak të interesimit të vazhdueshëm nga Arabia Saudite. Klubi i Al-Ittihad po përpiqet të pengojë finalizimin e marrëveshjes me turqit. Sipas gazetarit Ismael Mahmoud, drejtuesit sauditë janë duke siguruar fondet e nevojshme për të paraqitur një ofertë konkurruese në orët në vijim, duke shpresuar që të bindin futbollistin të zhvendoset në Ligën Profesionale Saudite. Ky interesim nuk është i ri, pasi në vitin 2023 Al-Ittihad kishte bërë një ofertë të konsiderueshme prej 150 milionë funtesh drejt Liverpoolit, e cila në atë kohë u refuzua nga klubi anglez.
Përditësime
Gazetari Fabrizio Romano ka konfirmuar zyrtarisht se Mohamed Salah do të transferohet te Trabzonspor si lojtar i lirë në përfundim të sezonit 2025/26. Me këtë lëvizje, sulmuesi egjiptian i jep fund aventurës te Liverpool, ku regjistroi 442 ndeshje dhe 257 gola.
Trabzonspori zyrtarizoi sot transferimin e Mohamed Salah, i cili ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me klubin turk. Lajmi, i bërë publik përmes një komunikate në platformën X, i jep fund spekulimeve për një kalim të mundshëm te Al-Ittihad. Me këtë lëvizje, sulmi i skuadrës do të përforcohet nga dyshja Mohamed Salah - Ernest Muçi.
Mohamed Salah ka mbërritur në Stamboll për të finalizuar kalimin te Trabzonspori, ku do të mbajë fanelën me numrin 10, që më parë i përkiste Ernest Muçit. Ndërkohë, klubi turk ka përcaktuar vlerën e kartonit të Muçit në 20 milionë euro, pas interesimit konkret të shfaqur nga Aston Villa.
Sipas detajeve financiare të marrëveshjes, Mohamed Salah do të përfitojë një pagë bazë vjetore prej 14.6 milionë paund, e cila mund të arrijë në 18.9 milionë paund përmes bonuseve. Kontrata detyron Trabzonsporin të mbulojë të gjitha detyrimet tatimore të lojtarit. Bazuar në të dhënat e Capology, kjo shifër e rendit Salah në vendin e 32-të në botë. Ndërkaq, mbërritja e tij në aeroportin Atatürk të Stambollit u shoqërua nga një pritje entuziaste e qindra tifozëve.