Sulmuesi me famë botërore Mohamed Salah ndodhet në negociata të avancuara për t'iu bashkuar skuadrës së Besiktasit. Pas përfundimit të aventurës me Liverpoolin dhe pjesëmarrjes në Kupën e Botës me kombëtaren e Egjiptit, lojtari po finalizon detajet e transferimit te klubi nga Stambolli.
Sipas informacioneve, avokati i futbollistit ndodhet aktualisht në Stamboll për të përmbyllur marrëveshjen. Kontrata e parashikuar është njëvjeçare, me mundësi vazhdimi për një sezon shtesë. Paga vjetore raportohet se do të jetë 10 milionë euro, ndërsa shtesat për arritjen e objektivave kapin vlerën e 2 milionë eurove.
Klubi turk synon që procesi të mbyllet në fillim të javës së ardhshme, kur Mohamed Salah pritet t'u nënshtrohet testeve mjekësore përpara hedhjes së firmës zyrtare. Ky interesim vjen në një kohë kur tifozët e Besiktasit kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për afrimin e yllit egjiptian, duke kërkuar angazhimin e tij gjatë prezantimit të futbollistit Trossard.