Raporti Skills for Jobs 2026 i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) rendit profesionistët e arsimit, të shëndetësisë dhe specialistët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ndër grupet me mungesat më të mëdha të fuqisë punëtore në Bashkimin Europian. Raporti u publikua më 14 tetor 2026 dhe mbështetet në të dhëna të krahasueshme për 38 vende, kryesisht deri në vitin 2024.
Sipas të dhënave të publikuara edhe nga Komisioni Europian, treguesi i çekuilibrit mes kërkesës dhe ofertës është rreth 0.4 për profesionistët e arsimit, 0.37 për ata të shëndetësisë dhe 0.34 për specialistët e TIK-ut. Këta tregues matin çekuilibrin në tregun e punës, jo përqindjen e vendeve të lira.
Mungesa raportohen edhe për teknikët e shëndetësisë, specialistët e biznesit dhe administrimit, menaxherët, profesionistët e shkencës dhe inxhinierisë, si dhe punonjësit e përpunimit të metaleve e makinerive, të kujdesit personal dhe të instalimeve elektrike e elektronike. Sipas OECD-së, mungesat përqendrohen më shumë te profesionet që kërkojnë kualifikim të lartë, ndërsa në profesionet me kualifikim më të ulët vërehen më shpesh teprica të fuqisë punëtore.
Plakja e popullsisë, dixhitalizimi dhe përhapja e inteligjencës artificiale po ndryshojnë kërkesën për profesione. Në shëndetësi, rritja e nevojave për kujdes dhe kushtet e vështira të punës e ndërlikojnë tërheqjen dhe mbajtjen e personelit. Zhvillimi teknologjik rrit kërkesën për specialistë me aftësi të përparuara. OECD paralajmëron se mungesa e punonjësve të kualifikuar mund të pengojë zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe kalimin drejt ekonomive dixhitale e të gjelbra.
Të dhënat për Shqipërinë
Shqipëria nuk përfshihet në krahasimin e 38 vendeve të raportit. Megjithatë, studimi Skills Needs Analysis Albania 2025, i publikuar nga UNDP në shtator 2026, tregon se 94.9% e ndërmarrjeve që kishin kërkuar punonjës hasën vësht vështirësi në plotësimin e vendeve vakante. Po ashtu, 43.5% raportuan mangësi në aftësitë e punonjësve ekzistues. Studimi u mbështet në përgjigjet e 2,185 ndërmarrjeve, që përfaqësojnë rreth 54 mijë biznese aktive dhe mbi 500 mijë të punësuar.
Mangësitë përfshijnë njohuritë teknike, por edhe komunikimin, organizimin, bashkëpunimin dhe përshtatjen me kërkesat e reja të punës. Një raport tjetër i OECD-së për Shqipërinë thotë se në vitin 2024 vetëm 1.6% e personave të moshës 25–64 vjeç morën pjesë në arsimim ose trajnim, kundrejt 13.3% në BE. Sipas të dhënave të vitit 2023 të cituara nga OECD, të paktën aftësi bazë dixhitale zotëronin 23% e të rriturve në Shqipëri, krahasuar me 56% në BE.
Në Shqipëri u regjistruan mbi 61 mijë vende të lira pune në vitin 2023, 54% më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 33.8% ishin në industrinë përpunuese, 14.6% në tregti dhe 14.2% në akomodim e shërbime ushqimore. OECD i lidh vështirësitë për sigurimin e punonjësve të kualifikuar me emigracionin, tkurrjen e popullsisë në moshë pune dhe mospërputhjen mes arsimit dhe kërkesave të bizneseve.