Numri i mjeteve në qarkullim në Shqipëri kaloi për herë të parë shifrën 1 milion në vitin 2025 (1.061 mijë), prej të cilave 850 mijë janë autovetura, sipas të dhënave të Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Në vitet 2024-2025 u shtuan rreth 100 mijë mjete në vit, ndërsa për dy muajt e parë të 2026-s u importuan 14 mijë të tjera, me rritje 5%. Mjetet elektrike zënë vetëm 1.3%, ndërsa dominojnë ato me naftë (69%), benzinë (19%) dhe hibride (8%). Rreth 20% e mjeteve në 2025 u importuan nga Koreja e Jugut.
Kjo rritje çoi konsumin e karburanteve në rekord 740 mijë ton ose 890 milionë litra në 2025, sipas Ministrisë së Financave. Me çmim mesatar 173 lekë/litër, shqiptarët shpenzuan 154 miliardë lekë ose gati 1.6 miliardë euro.
Viti 2026 nisi me çmime të pandryshuara, por shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në fillim të marsit ngriti çmimin e naftës në mbi 100 dollarë/fuçi, nga më pak se 70 dollarë në fund të shkurtit. Në Shqipëri, një litër naftë tregtohet mesatarisht me 199 lekë, duke arritur rreth 200 lekë në pakicë.
Sipas llogaritjeve të Monitor-it, bazuar në konsumin sipas muajve të 2025-s, nëse çmimi mbetet 200 lekë/litër, pagesat shtesë luhaten nga 1.6-2.3 miliardë lekë (16-23 milionë euro) në muaj, ose 19.4 miliardë lekë (200 milionë euro) në total për periudhën.