Çmimi i naftës në Shqipëri u shtrenjtua me rreth 30% gjatë marsit, duke arritur 224 lekë për litër, nga 170-175 lekë për litër në fund të shkurtit. Kjo rritje erdhi pas krizës në Lindjen e Mesme, që e çoi çmimin referencë Brent nga 65-70 dollarë për fuçi në mbi 100 dollarë për fuçi. Autoritetet e Bashkimit Europian kanë paralajmëruar për një goditje energjetike afatgjatë, ndërsa e ardhmja mbetet e pasigurt.
Shqipëria pritet të ndikohet më shumë se vendet e tjera evropiane për dy arsye kryesore.
Çmimet e larta absolute dhe relativ me fuqinë blerëse
Sipas të dhënave të Global Petrol Prices të datës 30 mars, nafta në Shqipëri renditet si e 11-ta më e shtrenjta në botë, pothuajse e barabartë me çmimet në Zvicër, Danimarkë e Holandë. Në raport me fuqinë blerëse, ajo është dyfish më e shtrenjtë se në rajon dhe shtatë herë më e shtrenjtë se në Holandë, ku çmimi absolut është i ngjashëm.
Diferenca kryesore me rajonin qëndron te taksat, të cilat janë dy herë më të larta në Shqipëri. Një konsumator shqiptar paguan 1.16 euro taksa për litër naftë (53% e çmimit final), ndërsa:
- Në Maqedoni: 0.58 euro (36%);
- Në Mali të Zi: 0.55 euro (35%);
- Në Kosovë: 0.67 euro (38.5%).
Pjesa e lartë e mjeteve me naftë
Në Shqipëri qarkullojnë 1.06 milionë mjete aktive, sipas Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) deri në fund të shkurtit. Nga këto, rreth 732 mijë, ose gati 70%, përdorin naftën, një përqindje ndër më të lartat në Evropë. Vetëm rreth 210 mijë automjete, ose 20%, përdorin benzinën, e cila ka pësuar shtrenjtim më të ulët.