Nancy VanHorn, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, u takua dje me Bordin dhe përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.
Diskutimet u përqendruan në strategjinë për rritjen e eksporteve dhe investimeve amerikane, si dhe krijimin e kushteve të barabarta për të tërhequr më shumë biznese amerikane. Ambasada e SHBA-së e cilëson Dhomën si një urë të rëndësishme midis investitorëve amerikanë dhe Shqipërisë, që shërben si motor për rritjen ekonomike.
Dhoma përfaqëson 270 kompani anëtare, të cilat gjenerojnë gati 25% të PBB-së së Shqipërisë. Kjo organizatë lidh investitorët amerikanë me tregun shqiptar dhe promovon zhvillimin ekonomik.
Në njoftimin zyrtar të Ambasadës shkruhet: «Duke përfaqësuar 270 kompani anëtare që gjenerojnë gati 25% të PBB-së së Shqipërisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një urë e rëndësishme midis investitorëve amerikanë dhe Shqipërisë, si dhe një motor për rritjen ekonomike. E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn iu bashkua dje Dhomës Amerikane për të diskutuar strategjinë e tyre për rritjen e eksporteve dhe investimeve amerikane dhe krijimin e kushteve të barabarta për të tërhequr më shumë biznese amerikane në Shqipëri».