Drejtoresha Vendore e Policisë së Shkodrës pritet të kalojë në një fazë riorganizimi, ku drejtori aktual Gentian Berberi do të lirohet nga detyra pas rreth 11 muajsh qëndrimi në këtë post. Emërimi i pasuesit të tij, Dashamir Spaho, pritet të zyrtarizohet së shpejti nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Dashamir Spaho rikthehet në strukturat policore të Shkodrës pas një angazhimi në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme. Më herët, ai ka ushtruar funksionin e zëvendësdrejtorit të këtij institucioni në qarkun e Shkodrës.
Këto ndryshime vijnë në një periudhë dinamike për strukturat e rendit. Pak kohë më parë, shefi i Komisariatit të Shkodrës, Bekim Lika, u pezullua nga detyra pas zbulimit të një parcele me kanabis në zonën e Velipojës, vendin e të cilit e ka marrë Erjon Dume.
Gentian Berberi mori drejtimin e Policisë së Shkodrës 11 muaj më parë, duke zëvendësuar atëherë Fatmir Lleshin, në periudhën e aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Ende nuk është bërë e ditur detyra e re që ai do të mbajë pas largimit. Lëvizjet në këto struktura ndodhin në prag të sezonit turistik, kur autoritetet synojnë rritjen e pranisë policore në zonat bregdetare dhe ato me fluks të lartë vizitorësh.