Në sheshin e qytetit të Skënderajt, mbrëmjen e 7 marsit, u përmbyll Epopeja e UÇK-së me një koncert përkujtimor. Aktiviteti erdhi pas ndezjes së flakadaneve dhe u zhvillua në kuadër të shënimit të këtij eventi historik.
Mijëra qytetarë, gra, fëmijë e të moshuar, u mblodhën me flamuj kombëtarë dhe flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata interpretuan këngë patriotike kushtuar dëshmorëve të vendit.
Në aktivitet morën pjesë Rifat Jashari bashkë me anëtarë të tjerë të familjes Jashari, si dhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci. Gjatë fjalës së tij, Maqedonci kujtoi se 7 marsi shënon përfundimin e rezistencës heroike të familjes Jashari në vitin 1998, një moment kyç i historisë së Kosovës.
Ai theksoi se, 28 vite më pas, përpjekjet e Serbisë për të luftuar UÇK-në vazhdojnë me dosje dhe procese të shumta kundër ushtarëve të Kosovës, të nisura në institucione serbe që kryen krime kundër popullit. "Sot, këtu nga Skënderaj, i themi të gjithë botës: Ne jemi krenarë me luftën tonë çlirimtare. Të gjithë ushtarët e UÇK-së janë vëllezër dhe motra të pushkës dhe idealit. I gjithë populli shqiptar i Kosovës dhe i trojeve shqiptare mbështet luftën tonë të drejtë çlirimtare dhe drejtuesit e saj që mbahen padrejtësisht në Hagë", deklaroi Maqedonci.
Koncerti u hap me këngën "Mora fjalë" nga këngëtarja Shkurte Fejza, kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari. Programi vazhdoi me këngë të tjera atdhetare për dëshmorët dhe të rënët për liri, të cilat u pritën me emocione dhe duartrokitje nga të pranishmit.