Sot, më 5 mars, në Republikën e Kosovës nis shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Manifestimet në nderim të luftës çlirimtare dhe familjes Jashari zhvillohen më 5, 6 dhe 7 mars.
Në kuadër të këtij shënimi, ora e parë mësimore në të gjitha shkolat e Kosovës, duke filluar nga ora 08:00, i kushtohet Epopesë së UÇK-së dhe luftës çlirimtare të familjes Jashari.
Epopeja e UÇK-së shënon njërën nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Ajo lidhet me ngjarjet e 5, 6 dhe 7 mars 1998, kur Adem Jashari dhe familja e tij u përballën me sulmin e forcave serbe në Prekaz.
Aktivitetet e datës 5 mars
- 08:00 – Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së.
- 09:00 – Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
- 10:00 – Seancë solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
- 10:00 – Seancë solemne në kuvendet komunale të Republikës së Kosovës.
- 12:00 – Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
- 14:30 – Gara mbarëkombëtare e volejbollit për femra “Adem Jashari” në Skenderaj.