Sot shënohet dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, e cila njihet si Dita e Dëshmorëve. Në kuadër të 28-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike, organizohen homazhe dhe aktivitete përkujtimore në nderim të të rënëve për liri.
Ceremonitë do të nisin në orët e hershme të mëngjesit. Nga ora 10:00, krerët e shtetit, drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe Kryeministri Albin Kurti, do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz. Po në të njëjtën orë, përfaqësuesit e komunave do të organizojnë nderime në komplekset memoriale të dëshmorëve në të gjithë vendin.
Në ora 13:00, Kuvendi i Kosovës do të hapë ekspozitën "Tri ditë që ndryshuan historinë".
Në ora 19:00, në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë (Salla e Kuqe), mbahet akademi përkujtimore për sakrificën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me pjesëmarrje artistike nga Opera dhe Filarmonia e Kosovës. Ceremonia përfundon në ora 21:00.
Nesër, dita e tretë
Aktivitetet vazhdojnë në 7 mars me manifestimin tradicional "Nata e Zjarreve" në Prekaz në ora 18:00. Në ora 18:15 ndizet flakadane në shtatë rajonet e Republikës së Kosovës. Në ora 19:00 mbahet program artistik në sheshin "Adem Jashari" në Skënderaj.
Epopja e UÇK-së i referohet sulmit të forcave serbe në Drenicë, veçanërisht rrethimit të Lagjes së Jasharëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ngjarje që ngriti çështjen e Kosovës në agjendën ndërkombëtare.