Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, është shumë pranë largimit nga klubi skocez Rangers për të vazhduar karrierën në Arabinë Saudite. Sipas raportimeve të fundit, lojtari do t’i bashkohet skuadrës Al Taawoun nëpërmjet formulës së huazimit. Marrëveshja ndërmjet palëve përfshin një opsion blerjeje jo të detyrueshëm, vlera e të cilit është përllogaritur në 2.5 milionë paund (rreth 2.9 milionë euro).
Ky ndryshim në karrierën e futbollistit pason një periudhë gjatë së cilës ai nuk ka qenë në planet e trajnerit të Rangers. Nedim Bajrami, i cili ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me klubin skocez, pritet të gjejë hapësira më të mëdha te Al Taawoun, ekip që aktualisht numëron pesë lojtarë të huaj në përbërje.
Ndërkohë, pista që e lidhte Bajramin me një rikthim në futbollin italian ka rënë përfundimisht. Interesimi i shfaqur nga disa klube të Serie A nuk është konkretizuar dhe lojtari ka zgjedhur të nisë një kapitull të ri në kampionatin saudit. Pritet që marrëveshja të zyrtarizohet së shpejti, duke mbyllur kështu aventurën e futbollistit te skuadra nga Glasgou.