Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Punësim, Blerim Hasani, nënshkruan aneksin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Ky aneks vjen si vazhdim i memorandumit të mirëkuptimit të lidhur në vitin 2010 dhe synon forcimin e bashkëpunimit për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të burgosur. Ai parasheh angazhimin e këshilltarëve të punësimit në kuadër të programit për përgatitje për lirim dhe mbështetje pas lirimit, të miratuar nga drejtori i përgjithshëm i SHKK.
Përmes këtij bashkëpunimi, të burgosurve u ofrohet mbështetje konkrete për integrimin në tregun e punës. Këshilltarët e punësimit nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, përmes Agjencisë për Punësim, do të jenë pjesë aktive e programit. Ata ofrojnë informacion të drejtpërdrejtë mbi mundësitë e punësimit, trajnimet profesionale dhe shërbimet pas lirimit.
Gjatë seancave të programit, të burgosurit mund të informohen mbi vendet e lira të punës, procedurat e aplikimit dhe mbështetjen institucionale. Ky angazhim pritet të lehtësojë tranzicionin e tyre në shoqëri dhe të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e rrezikut të rikthimit në vepra penale.