Nëntogeri Kushtrim Dërguti është diplomuar me sukses në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst, një prej institucioneve më prestigjioze për arsimim dhe stërvitje ushtarake në botë. Njoftimi për këtë arritje u bë i ditur nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila e vlerësoi këtë sukses si një dëshmi të angazhimit të vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve profesionale të forcave të saj.
Sipas FSK-së, përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, nëntogeri Dërguti ka zhvilluar më tej aftësitë e tij në lidership, disiplinë dhe përgatitje taktike. Institucioni theksoi se ky diplomim shënon përfundimin e një etape të rëndësishme dhe fillimin e një përgjegjësie edhe më të madhe në shërbim të vendit dhe paqes në botë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përgëzuar nëntogerin për suksesin e arritur. Ai vlerësoi se diplomimi i Dërgutit dëshmon profesionalizmin e kuadrove të reja të FSK-së dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mbrojtjes.
"Investimi në arsimim, dije dhe lidership është investim në të ardhmen e ushtrisë sonë dhe në forcimin e kapaciteteve të Republikës së Kosovës për të kontribuar për paqen dhe sigurinë", deklaroi ministri Maqedonci.