Pas një operacioni intensiv që zgjati 7 orë, efektivët e Shërbimit Zjarrfikës në Gjirokastër arritën të neutralizojnë një zjarr të përmasave të mëdha që përfshiu një zonë pyjore me shkurre ndërmjet fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq. Alarmi për rënien e zjarrit u njoftua nga një qytetar në orën 22:38 të mbrëmjes së shtunës.
Me mbërritjen në vendngjarje, forcat zjarrfikëse identifikuan tri vatra aktive në dy kodra të ndryshme. Terreni malor dhe bimësia e dendur e bënë të pamundur përdorimin e mjeteve të rënda zjarrfikëse, duke detyruar angazhimin e të gjithë efektivit në një ndërhyrje manuale gjatë gjithë natës për të penguar avancimin e flakëve drejt zonave të banuara. Operacioni u përmbyll me sukses në orën 05:30, kur të gjitha vatrat u shpallën të shuara. Autoritetet konfirmuan se nuk ka dëme në banesa dhe as të lënduar.
Kjo zonë ka qenë objekt shqetësimi edhe më parë, pasi rreth një javë më parë në të njëjtin territor u evidentuan tri vatra të tjera zjarri. Ndërsa raportimet fillestare nga burime të ndryshme e përshkruanin situatën si dinamike, me pritshmëri për mbërritjen e forcave shtesë dhe të Forcave të Armatosura, shuarja e plotë e flakëve u njoftua pas ndërhyrjes së efektivave të MZSH Gjirokastër.