Një ngjarje e rëndë është regjistruar në afërsi të qytetit të Bilishtit, në bashkinë Devoll, ku një 82-vjeçare është gjetur e pajetë në një rezervuar. Sipas të dhënave paraprake, viktima dyshohet se është mbytur.
Sipas informacioneve të raportuara nga shumica e mediave, e moshuara, e cila identifikohet me inicialet A.K., kishte shfaqur prej kohësh probleme shëndetësore me sklerozën. Gjendja e saj ishte rënduar edhe psikologjikisht pas humbjes së bashkëshortit dhe dy djemve. Ajo jetonte me djalin tjetër, i cili dyshohet se e ka gjetur të ëmën pa shenja jete në rezervuar.
Trupi i 82-vjeçares është dërguar në morgun e spitalit të Korçës, ku do t'i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të vdekjes. Policia e Shtetit ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.