Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë Maqedoninë e Veriut kanë krijuar kushte të vështira në rrugë dhe trotuare, ku akulli dhe ngricat paraqesin rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve. Vetëm gjatë fundjavës, 170 pacientë me fraktura dhe lëndime të ngjashme janë pranuar në Spitalin 8 Shtatori në Shkup.
Zëdhënësi i spitalit, Risto Pejkov, njoftoi se "gjithsej u regjistruan 170 pacientë me lëndime nga karakter të ndryshme. Te 40 pacientë janë diagnostikuar fraktura, tek 5 pacientë prej tyre nevojitej trajtim operativ, të tjerët me thyerje dhe lëndime të tjera u trajtuan në mënyrë konservative".
Në shumë rrugë të kryeqytetit hasen ende vende me akull, ndërsa situata e ngjashme vërehet edhe përpara një çerdheje. Qytetarët shprehin shqetësim për mungesën e masave për pastrimin e rrugëve. Një qytetar tha: "Kishte qenë akull, më herët ishte akull, mezi kalova, nuk ka shtet, badihava, as kripë nuk hidhet, asgjë, vetëm se me vjedh, asgjë tjetër". Një tjetër u shpreh: "T’ju them të drejtën unë nuk lëviz shumë nëpër këto rrugë, por nuk ndjehem i sigurt, shoh më të moshuarit kanë rrëshqitur. Nuk kam parë deri tani të kalojnë të hedhin kripë që akulli të shkrihet". Një qytetar tjetër theksoi se merr masa personale dhe nuk del jashtë për shkak të rreziqeve.
Nga Ndërmarrja Publike Rrugë dhe Rrugica njoftojnë se po ndërmerren masat e nevojshme, por korsitë e qarkullimit pastrohen sipas prioriteteve, duke përfshirë pikat kritike. Ata shpjegojnë se "pikat kritike të zeza (mbikalime, nënkalime, ura, ngjitje, zbritje, nyje, kthesa të mprehta dhe rreth rrotullime), ku ekziston rrezik për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion gjatë temperaturave të ulëta, akullit ose reshjeve minimale të borës, trajtohen me prioritet".
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe shmangie të daljeve pa nevojë, për të minimizuar rreziqet e mundshme nga kushtet e motit.