Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë të hënën, ku do të pritet nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Takimi do të mbahet në kabinetin e Haxhiut me fillim nga ora 10:00, njofton Kuvendi i Kosovës. Ai pritet të theksojë bashkëpunimin parlamentar dhe institucional midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe marrëdhëniet dypalëshe në çështje rajonale e politike.
Vizita e Peleshit vjen një javë pas asaj të Elisa Spiropalit në Kosovë. Spiropali, ministre për Punët e Jashtme e Shqipërisë në atë kohë, u largua nga posti vetëm një ditë pas vizitës. Ky ishte një nga shtatë ndryshimet që kryeministri Edi Rama bëri në ristrukturimin e Qeverisë. Në vend të saj u emërua ministër i Jashtëm Ferit Hoxha.
Përditësime
Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës konfirmoi se mediat do të mund të xhirojnë pamje në fillim të takimit.
Niko Peleshi do të takohet me Presidentjen Vjosa Osmani në orën 11:15 dhe me Kryeministrin Albin Kurti në orën 11:50.
Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë që nga shtatori 2025, u takua me Albulena Haxhiun gjatë vizitës në Kosovë të hënën.
- Nuk pritet deklaratë për media pas takimit.
Niko Peleshi përshëndeti konstituimin pa vonesa të Kuvendit të Kosovës dhe nisjen e legjislaturës së re.
Ai vlerësoi bashkëpunimin parlamentar përmes Memorandumit të 2022-ës dhe mbledhjeve të përbashkëta në Tiranë dhe Prishtinë.
Peleshi miratoi rezolutën e Kuvendit në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar procesin e drejtë dhe dinjitetin e luftës.
Ai kërkoi rritje të cilësisë dhe shpeshtësisë së bashkëpunimit mes komisioneve, grupeve dhe administratave parlamentare.
Në takimin me Vjosën Osmanin, Shqipëria rikonfirmoi mbështetjen për njohje të reja dhe anëtarësime ndërkombëtare të Kosovës.
Peleshi vlerësoi orientimin proevropian të Kosovës dhe reformat për sundimin e ligjit.