Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësim për shtypjen e protestave në Iran, ku autoritetet kanë përdorur dhunë kundër demonstruesve paqësorë. Këto reagime erdhën më 12-13 janar 2026, në selinë e OKB-së në Nju Jork, ku zyrtarë të lartë bënë thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, në një deklaratë, theksoi se vrasja e protestuesve paqësorë duhet të ndalet menjëherë. Ai e cilësoi të papranueshme etiketimin e tyre si "terroristë" për të justifikuar dhunën. Sipas tij, qytetarët iranianë kanë të drejtë të demonstrojnë paqësisht dhe kërkesat e tyre duhet të dëgjohen pa u shfrytëzuar nga askush. Türk-u u bëri thirrje autoriteteve të ndërpresin të gjitha format e represionit dhe të rivendosin aksesin në internet si dhe shërbimet e telekomunikacionit. Ai kërkoi gjithashtu që përgjegjësit për dhunën të vendosen para drejtësisë.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithsham të OKB-së, Stéphane Dujarric, konfirmoi se përdorimi i forcës vdekjeprurëse ndaj demonstruesve shkel ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Ai nënvizoi të drejtën themelore për protesta paqësore dhe detyrimin e autoriteteve të rendit për të mbrojtur pjesëmarrësit. Përdorimi i forcës, sipas tij, duhet të jetë proporcional, diçka që nuk është respektuar në rastin e Iranit. Dujarric e përshkroi situatën si jashtëzakonisht shqetësuese për Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për dialog për të shmangur përshkallëzimin.
Sa i përket viktimave, raportet tregojnë se ka pasur më shumë se 2 mijë të vdekur, por Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto të dhëna për shkak të mungesës së aksesit në Iran. Ka raporte për qindra vdekje dhe mijëra arrestime. Zyra është e shqetësuar për fatin e të arrestuarve, duke kujtuar se të paktën 12 protestues u ekzekutuan pas protestave të vitit 2022. OKB-ja përdor kanale të ndryshme informacioni dhe komunikon me partnerët në terren, pavarësisht vështirësive. Prezenca e OKB-së në Iran vazhdon, me stafin që punon kryesisht nga shtëpia dhe është i sigurt.
Dujarric shprehu shqetësim për retorikën luftarake nga aktorë të ndryshëm dhe për mundësinë e ndërhyrjeve të huaja, duke theksuar se komunikimi me partnerët në terren është i vështirë dhe i fragmentuar.