Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë ndërmarrë një operacion policor në terren me qëllim goditjen e paligjshmërisë, konkretisht të armëmbajtjes pa leje. Operacioni është shtrirë në pika të ndryshme të qytetit të Vlorës, si dhe në zonat e banuara përgjatë Lumit të Vlorës.
Sipas të dhënave paraprake, deri më tani janë vënë në pranga 5 persona, të cilët dyshohen se posedonin armë zjarri në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar armët e gjetura, të cilat po i nënshtrohen ekspertizës teknike.
Ky operacion është pjesë e masave të shtuara për sigurinë publike gjatë periudhës së sezonit turistik. Policia vijon punën në terren për të ushtruar kontrolle të mëtejshme dhe për të zbardhur rrethanat e rastit. Një njoftim zyrtar më i detajuar, përfshirë identitetet e të ndaluarve, pritet të publikohet nga Policia e Vlorës në orët në vijim.
Përditësime
Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Edvin Ndreu, konfirmoi se operacioni, i zhvilluar me mbështetjen e FNSH-së, çoi në arrestimin e 5 personave, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 4 pistoleta dhe një automjet të blinduar.