Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) zhvilloi një aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës për të kundërshtuar avancimin akademik të profesoreshës Fatlume Berisha nga Fakulteti i Edukimit në pozitën e profesorit të rregullt.
Në aksion u vendos një pankartë me mbishkrimin «Kur një kandidaturë mobilizon Fakultet, senat dhe rektorat», ku paraqiteshin figurat e Eda Vulës dhe Fatlume Berishës.
Drejtori i ORCA-s, Dibran Hoxha, u shpreh se, sipas organizatës, kandidatja nuk i përmbush kriteret minimale të punimeve shkencore. Ai theksoi se një nga punimet, ku Berisha është autore korrespondente, është botuar në revistën European Journal of Educational Research, e cila figuron në listën e Jeffrey Beall për revista dhe botues të dyshimtë.
Në mbledhjen e Senatit të 17 dhjetorit 2025, Trupa Këshilldhënëse e Rektorit nuk e rekomandoi Berisha-n për avancim për shkak të mungesës së kritereve minimale. Megjithatë, rasti u rikthye për rishqyrtim në Fakultetin e Edukimit, ku u formua një komision për të vlerësuar kredibilitetin e revistës.
Hoxha vlerësoi se ky proces ka kaluar përtej vlerësimit akademik të zakonshëm dhe është shndërruar në përpjekje për të relativizuar kriteret. Ai e cilësoi të papranueshme tentativën për të shtyrë përpara avancimin, duke demonstruar se si një interes personal mund të mobilizojë mekanizmat institucionalë për të anashkaluar vlerësimin profesional.
Përditësime
Eda Vula është autore e parë e një punimi të botuar në revistën në fjalë. Si anëtare e komisionit të Fakultetit të Edukimit për vlerësimin e kredibilitetit të saj, ajo mbështeti pranimin e revistës si të vlefshme, duke krijuar konflikt interesi. Komisioni e vlerësoi atë si kredibël. Rasti u rikthye në Senatin e Universitetit të Prishtinës për shqyrtim.