Presidentja Vjosa Osmani nuk do të nënshkruajë dekrete të reja për shtetësi deri në fund të mandatit të saj presidencial. Nga Kabineti i Presidentes është konfirmuar se çdo kërkesë e tillë do të trajtohet nga presidenti i ardhshëm.
Me kompetencë kushtetuese, presidentja mund t’u japë shtetësinë personave që vlerësohen me kontribut të veçantë në interes të shtetit, ekonomisë, sportit, kulturës apo fushës profesionale. Megjithatë, asnjë person me shtetësi të huaj nuk do ta marrë këtë shtetësi nga presidentja Vjosa Osmani.
Nga Kabineti i Presidentes thanë: «Çdo kërkesë që mund të ketë ardhur sivjet, do të duhet të trajtohet nga presidenti i ardhshëm. Presidentja e ka njoftuar tashmë administratën që nuk do të shqyrtojë asnjë kërkesë të re për shtetësi dhe se nuk planifikon të nënshkruajë dekrete të reja».
Për plotësimin e kushteve ligjore, Presidenca vlerëson nëse një person meriton shtetësinë. Avokati Artan Qerkini shpjegoi: «Për të fituar shtetësinë përmes dekretit duhet të plotësohen disa kushte ligjore. Shtetësia jepet vetëm atyre që janë të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe kontribuojnë në kulturë, sport, shkencë ose në përgjithësi si persona me arritje të veçanta. Nuk jepet automatikisht, kërkohet një institucion kërkues që i drejtohet presidentit, dhe më pas është në diskrecion të plotë të presidentit nëse do ta japë dekreti».
Integriteti i kërkuesve vlerësohet gjithashtu nga organet e sigurisë. Këto institucione nuk shqyrtojnë kushtet ligjore, por konstatojnë nëse personi paraqet rrezik për Republikën e Kosovës. Nëse nuk ka rrezik, presidenti vlerëson plotësimin e kushteve.