Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Fatmir Sopi, vlerësoi fjalimet e fundit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të mbajtura më 18 shkurt 2026 në Dhomat e Specializuara të Hagës. Pjesëtarët e OVL-UÇK-së përcollën këto fjalime nën emocione.
Sipas Sopit, për KosovaPress, paraqitja e tyre përbën një përballje dinjitoze me të vërtetën para trupit gjykues dhe një dëshmi të qartë të angazhimit atdhetar dhe të qëndresës përballë një procesi të gjatë gjyqësor. Ai u shpreh se fjalimet ishin një përmbledhje e veprimtarisë atdhetare të secilit prej tyre, një prononcim pa frikë dhe pa fshehje, duke treguar të vërtetën dhe angazhimin për çlirimin e vendit. «Vërtet çlirimtarë, dinjitozë dhe të pathyeshëm ndaj çdo padrejtësie», tha ai, duke përmendur emocionet e veteranëve për shkak të kaluarsë, aktivitetit dhe luftës së drejtë të tyre.
Sopi vlerësoi se akuzat ndaj ish-krerëve kanë burim në Beograd dhe ndikohen nga qarqe që kanë kundërshtuar historikisht Luftën Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se të katërt shprehën besim të plotë në drejtësi dhe kërkuan nga trupi gjykues të vendosë vetëm në bazë të fakteve dhe dëshmive, pa emocione.
Në komentet specifike, Sopi lavdëroi fjalimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili paraqiti rrugëtimin nga studimet deri te shtetndërtimi në bashkëpunim me SHBA dhe Bashkimin Evropian. Për Kadri Veseli, ai tha se argumentoi qartë arsyet e përfshirjes në luftë dhe hodhi poshtë akuzat ndaj tij.