Avokati Drini Grazhdani bëri të ditur se një padi kundër Serbisë në lidhje me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në jug të vendit është dërguar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Njoftimi u bë përmes një postimi në Facebook më 2 mars 2026.
Sipas Grazhdanit, padia është rezultat i një pune të përbashkët juridike dhe njerëzore, me rëndësi të gjerë publike. Ai falënderoi bashkëpunëtorët dhe veçoi Teuta Fazliun, e cila ka pranuar të përfaqësojë çështjen. "Ky rast nuk ka të bëjë vetëm me një individ, por me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ndalimin e praktikave diskriminuese sistematike", shkroi ai.
Pasivizimi i adresave nënkupton fshirjen e qytetarëve nga regjistrat e banimit, çka rezulton me humbjen e shtetësisë serbe dhe të drejtave civile, si e drejta për të votuar, për të pasur pronë, për sigurim shëndetësor, pension dhe punësim.
Çështja është ngritur vazhdimisht nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nga Qeveria e Kosovës, e cila e ka cilësuar si diskriminuese. Për këtë temë janë organizuar protesta ndër vite.
Në Raportin e Progresit për Serbinë, të publikuar më 4 nëntor nga Komisioni Evropian, thuhet se "pjesëtarët e minoritetit kombëtar shqiptar vazhdojnë të ngrenë shqetësime lidhur me mënyrën se si policia kontrollon statusin e banimit të tyre në jug të Serbisë, duke rezultuar me ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara". Raporti thekson nevojën për shpjegime më të qarta për publikun dhe mjete efektive të ankimimit.
Çështja përmendet edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023, ku thuhet se praktika duket se është zbatuar në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve.