Nga 15 nëntori 2026 deri më 15 mars 2027, automjetet motorike dhe makineritë mobile në Maqedoninë e Veriut duhet të kenë pajisjet e përcaktuara dimërore. Për mosrespektimin e rregullave parashikohet gjobë prej 45 eurosh, në kundërvlerë denari, si dhe regjistrimi i 25 pikëve negative, në përputhje me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Automjetet me masë maksimale të lejuar deri në 3.500 kilogramë duhet të kenë goma dimërore në të gjitha rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash. Si alternativë, lejohen gomat verore me profil të paktën 4 milimetra, nëse automjeti ka zinxhirë bore të madhësisë përkatëse për rrotat aktive.
Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4), gomat dimërore duhet të kenë profil të paktën 6 milimetra. Nëse përdoren goma verore me profil prej të paktën 4 milimetrash, kërkohen edhe zinxhirë bore: të paktën për boshtin e pasmë te automjetet me tërheqje të përhershme, ose për rrotat aktive te ato me tërheqje të përzgjedhshme.
Automjetet me masë maksimale të lejuar mbi 3.500 kilogramë duhet të kenë goma dimërore në të gjitha rrotat, me profil të paktën 6 milimetra. Nëse përdoren goma verore me profil të paktën 4 milimetra, duhet të kenë edhe zinxhirë bore të përshtatshëm për madhësinë e gomave.
Autobusët dhe automjetet e transportit të mallrave, në të cilat nuk mund të vendosen zinxhirë në rrota, duhet të kenë goma dimërore në rrotat aktive dhe vegla pune për përdorim të menjëhershëm.
Autoritetet rikujtojnë se pajisjet e përshtatshme dimërore janë të rëndësishme për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion, veçanërisht gjatë reshjeve të borës, ngricave dhe temperaturave të ulëta.