Nga 15 nëntori deri më 15 mars, drejtuesit e automjeteve në Maqedoninë e Veriut duhet të posedojnë pajisje dimërore, në përputhje me rregulloren për pajisjet e detyrueshme në trafik. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) u ka bërë thirrje qytetarëve ta respektojnë detyrimin ligjor dhe të sigurohen që automjetet e tyre i plotësojnë kërkesat.
Për automjetet me masë maksimale të lejuar deri në 3 500 kilogramë, pajisje dimërore konsiderohen gomat dimërore në të katër rrotat, me profil të paktën 4 milimetra. Si alternativë lejohen gomat verore në të katër rrotat, po me profil të paktën 4 milimetra, nëse automjeti ka zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse ose pajisje të tjera përkatëse.
Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4), gomat dimërore duhet të jenë në të katër rrotat dhe të kenë profil minimal prej 6 milimetrash. Nëse përdoren goma verore, ato duhet të kenë profil prej së paku 4 milimetrash dhe automjeti duhet të jetë i pajisur me zinxhirë bore. Vendosja e zinxhirëve varet nga lloji i transmisionit: për automjetet me tërheqje të përhershme, ata duhet të jenë të paktën në boshtin e pasmë; për automjetet me tërheqje të kyçshme, në boshtin që është vazhdimisht aktiv.
Për automjetet me masë të lejuar mbi 3 500 kilogramë, pajisje dimërore konsiderohen gomat dimërore në rrotat tërheqëse, me profil minimal prej 6 milimetrash. Lejohen edhe goma verore në të katër rrotat, me profil të paktën 4 milimetra, nëse automjeti ka zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat tërheqëse ose pajisje të tjera përkatëse. Autobusët dhe automjetet e rënda transportuese që, për arsye teknike, nuk mund të vendosin zinxhirë në rrotat tërheqëse duhet të kenë goma dimërore në ato rrota dhe një lopatë si pajisje ndihmëse.
Gomat dimërore dallohen nga shënimet “MS”, “M+S”, “M & S” ose “M&S”, si dhe nga simboli i flokut të borës në një mal të stilizuar me tri maja. Përdorimi i gomave me thumba ose gozhda metalike në trafikun rrugor është i ndaluar. MPB u bën thirrje drejtuesve të respektojnë kërkesat gjatë periudhës dimërore.