Gazetari Artan Hoxha, i ftuar këtë të premte në Euronews Albania, ka ndarë pamje të regjistruara brenda Burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin. Materiali filmik pasqyron një qeli të pajisur me orendi dhe kushte që, sipas tij, tejkalojnë çdo standard të njohur më parë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Në pamjet e publikuara vërehen detaje si tavane të punuara me gips, dollapë të montuar për gatim dhe pajisje elektrike të ndryshme. Gazetari sqaroi se qelia në fjalë i përket një personi të dënuar për vepra të rënda penale, konkretisht për narkotrafik dhe lojëra fati. Hoxha theksoi se personi që ka shpërndarë videot është vetë i dënuar, por nuk banon në mjedisin e shfaqur.
Duke komentuar nivelin e arredimit, gazetari u shpreh:
"Unë kam parë investime në burg të bëra nga personazhe të botës së krimit, por të këtij niveli mu duk e pabesueshme."
Sipas tij, monitorimi i këtyre ambienteve nga gardianët është i kufizuar, pasi ata nuk kanë akses të hyjnë brenda qelisë, duke lejuar kështu një nivel të lartë izolimi dhe mundësinë e këtyre investimeve brenda regjimit të sigurisë së lartë.