Pandeli Dervishi, 24 vjeç, u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg në Britaninë e Madhe. Gjykata e Kurorës në Leicester e shpalli fajtor për përdhunimin e një vajze 17-vjeçare në tualetin e një pub-i në Leicester. Sulmi ndodhi më 1 tetor 2025, në një lokal në zonën The Newarke. Vendimi u dha të enjten, më 29 tetor 2026.
Gjatë gjyqit u bë e ditur se Dervishi e kishte detyruar të miturën të kryente marrëdhënie seksuale orale. Pas ngjarjes, policia mbërriti në vendngjarje dhe nisi hetimet. Fillimisht, Dervishi u la në gjendje të lirë, ndërsa hetuesit shqyrtuan pamjet e kamerave të sigurisë dhe materialet digjitale të mbledhura gjatë hetimit.
Në shkurt të vitit 2026, Dervishi u akuzua zyrtarisht për përdhunim, por nuk iu përgjigj thirrjes së policisë dhe u shpall në kërkim. Autoritetet britanike e kërkuan për rreth dy muaj. Hetuesit gjurmuan lëvizjet e tij përmes të dhënave telefonike dhe informacioneve financiare, të cilat sugjeronin se ai ndodhej në zonën e Guildford, në Surrey.
Dervishin e pikasën në orët e para të 16 prillit 2026, teksa drejtonte një automjet të bardhë të markës Mazda në rrugën A320 Woking Road. Ai kaloi me semafor të kuq dhe policia e ndaloi, më pas e arrestoi.