Parlamenti Evropian i dha të enjten, më 22 tetor, Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, në shenjë mbështetjeje për institucionin pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërcënojnë punën e tij.
Çmimi jepet çdo vit për individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ndër fituesit e mëparshëm janë udhëheqësi i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, dhe figura e opozitës ruse, Alexei Navalny.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump njoftoi sanksione ndaj GJNP-së më 9 tetor, pas kritikave të përsëritura për fletarrestimin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe hetimet për veprimet e trupave amerikane në Afganistan.
Eurodeputetja franceze Chloé Ridel, e cila propozoi kandidaturën e gjykatës, tha se çmimi ishte “një mesazh shprese dhe rezistence për Donald Trumpin”. Ajo shtoi se mbështetësit e gjykatës nuk do ta braktisin sundimin e ligjit dhe drejtësinë ndërkombëtare, si dhe do të qëndrojnë përkrah GJNP-së për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Udhëheqësit e grupeve politike në Parlamentin Evropian zgjodhën GJNP-në mes tri kandidaturave përfundimtare. Dy të tjerat ishin avokati tanzanez Tundu Lissu, i cili përballet me përndjekje politike, dhe motrat iraniane Taraneh dhe Romina Rahimi, të nominuara në emër të personave të përndjekur nga autoritetet iraniane. Grupi i Socialdemokratëve (S&D) propozoi gjykatën dhe zyrtarët e saj, ndërsa grupet e tjera politike e mbështetën kandidaturën. Vendimi i befasoi disa persona brenda Parlamentit, të cilët kishin pritur që çmimi t’i jepej Lissut.
Javën e kaluar, eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike i kërkuan presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mbronte gjykatën me seli në Holandë nga pasojat e sanksioneve amerikane. Ata kërkuan përdorimin e të gjitha instrumenteve në dispozicion, veçanërisht të Statutit të Bllokimit të BE-së, i cili synon të mbrojë kompanitë dhe individët evropianë nga efektet e disa sanksioneve të vendeve të treta.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, i cilësoi më 9 tetor kërcënimet me sanksione ndaj GJNP-së si “të papranueshme” dhe rikonfirmoi angazhimin e bllokut ndaj së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, Bashkimi Evropian ende nuk ka ndërmarrë masa konkrete në përgjigje të sanksioneve amerikane.