Partia Demokratike do të mbajë protestën e radhës kombëtare para Kryeministrisë në Tiranë, sot në orën 18:00 të 22 marsit.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive me një postim në rrjetet sociale. Ai shkruan: “22 Mars 1992 – dita kur lindi demokracia. 22 Mars sot – dita për ta mbrojtur demokracinë! Ora 18:00, të gjithë para Kryeministrisë kundër Edi Ramës që e përdor ligjin si mburojë për vjedhjet e tij”. Postimi shoqërohet me një foto nga viti 1992.
Demokratët kanë zgjedhur këtë datë për simbolikën e saj: 22 marsi 1992 shënon fitoren e PD-së në zgjedhjet pluraliste pas rënies së komunizmit.
Sipas informacioneve, protesta nuk pritet të ketë fjalime nga eksponentët politikë. Ajo nuk do të ketë regji qendrore dhe itinerari është ende në diskutim nga organizatorët. Pritet lëvizje të turmës jo vetëm para godinës së Kryeministrisë.
Përditësime
Sali Berisha ka postuar në rrjetet sociale një thirrje për protestë sot në orën 18:00, duke shkruar: „Gëzuar 22 Marsin, ditën e fitores së demokracisë, ditën që fton mbarë shqiptarët në protestë për të përmbysur diktaturën autoritare të Edi Ramës. Sot në orën 18:00 të gjithë në protestë“.