Partia Demokratike pritet të mbledhë Kryesinë këtë të hënë, më 16 mars, në orën 12:00. Në rendin e ditës janë përfshirë çështje organizative dhe politike, mes të cilave ngritja e një grupi pune për ndryshime statutare.
Ndryshimet e mundshme në statut lidhen me nenin Basha, të vendosur gjatë Kuvendit të Rithemelimit. Ky nen parashikon se kryetari i Partisë Demokratike duhet të largohet nga detyra nëse humb zgjedhjet parlamentare. Rregulli u vendos nga Sali Berisha gjatë përplasjes me ish-kryetarin Lulzim Basha, si standard përgjegjësie politike. Berisha argumentonte se një parti nuk mund të drejtohet nga një kryetar që humb zgjedhje pas zgjedhjesh dhe se largimi pas humbjeje është detyrim statutar.
Diskutimi për ndryshime ka ngritur pikëpyetje nëse ky parim do të mbetet i pandryshuar apo do të rishikohet. Kjo lidhet me dinamikën e re brenda opozitës, ku artikulohet kërkesa për përgjegjësi politike pas humbjeve elektorale.
Në këtë kontekst, lëvizja e Ervin Salianji shihet me vëmendje. Ai ka nisur takime me formatin e foltores, ku ngre nevojën për një standard të qartë në Partinë Demokratike: kush humb zgjedhjet, duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo qasje rikthen në debat parimin e vendosur nga vetë Berisha gjatë Rithemelimit.