Asambleistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë i janë drejtuar me kërkesë zyrtare kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që në të gjitha shkollat e kryeqytetit ora e parë mësimore e 16 shkurtit t’i kushtohet rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kërkesa u bë publike nga asambleisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Ai theksoi se në prag të Ditës së Pavarësisë është detyrë institucionale dhe morale që nxënësit të njohin sakrificën mbi të cilën u ndërtua shteti i Kosovës.
Sipas Retkocerit, një praktikë e ngjashme zbatohej gjatë qeverisjes së mëparshme të PDK-së në Prishtinë, kur Drejtorinë e Arsimit organizonte ligjërata me ish-ushtarë dhe invalidë të UÇK-së, për të transmetuar historinë drejtpërdrejt te brezat e rinj.
Kjo iniciativë merr rëndësi të veçantë në prag të marshit qytetar "Drejtësi, jo Politikë", të planifikuar për 17 shkurtin në Prishtinë. Marshi mbështet ish-udhëheqësit e UÇK-së që përballen me proces gjyqësor në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Retkoceri shkroi se "historia duhet të flasë drejtpërdrejt para brezave të rinj" dhe se "liria ka themel sakrificën e UÇK-së". Asambleistët e PDK-së presin reflektim institucional nga Komuna e Prishtinës lidhur me kërkesën.