Në ditën e shpalljes së vendimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka njoftuar institucionet shkollore që ora e parë e mësimit të sotëm, 16 shtator 2026, të fokusohet në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës dhe kontributin e çlirimtarëve.
Në shkresën drejtuar mësimdhënësve, kërkohet që temat të trajtohen në mënyrë të përshtatshme për moshën e nxënësve, duke përfshirë sakrificën e qytetarëve për liri, rëndësinë e paqes dhe kujtesën historike. Dokumenti thekson gjithashtu proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ku thuhet: “Me anë të kësaj kërkese shpresojmë në vendim të drejtë që liron heronjtë tanë”.
Nisma synon që nxënësit të njihen me historinë e afërt të vendit. Përtej këtij aktiviteti arsimor, autoritetet e sigurisë kanë paralajmëruar masa shtesë në kryeqytet për shkak të zhvillimeve në Hagë, duke përfshirë mundësinë e kufizimeve të përkohshme të trafikut gjatë ditës së sotme.
Përditësime
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për t'i dedikuar orën e parë të mësimit luftës së UÇK-së. Krasniqi ka ironizuar nismën, duke propozuar që ora e dytë e mësimit të shfaqë pamje nga seanca parlamentare e vitit 2015, në të cilën u votua themelimi i Gjykatës Speciale.