Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës u ka dërguar një shkresë zyrtare të gjitha institucioneve shkollore në kryeqytet, përmes së cilës kërkohet që dita e nesërme, 16 shtator, të nisë me një orë mësimore të përqendruar te historia e vendit. Kjo nismë synon që nxënësit të njihen me rrugëtimin për liri dhe shtetndërtim, duke përshtatur tematikat sipas moshës së tyre.
Në kuadër të kësaj ore, mësimdhënësit janë ftuar të diskutojnë me nxënësit mbi disa aspekte kyçe të historisë së afërt:
• Rëndësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
• Sakrificën e qytetarëve për çlirimin e vendit.
• Proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas shkresës së Drejtorisë së Arsimit, qëllimi i këtij organizimi është forcimi i kujtesës kolektike dhe nxitja e reflektimit te brezat e rinj mbi vlerat e lirisë dhe paqes. Në kërkesën zyrtare specifikohet gjithashtu se diskutimet do të përfshijnë edhe vendimin që pritet të merret në lidhje me proceset gjyqësore në Hagë.
Përditësime
Nisma për t'ia kushtuar orën e parë të mësimit historisë së UÇK-së është zgjeruar përtej kryeqytetit. Autoritetet komunale në Drenas, Ferizaj dhe Obiliq kanë ndërmarrë hapa konkretë për përfshirjen e kësaj teme në kurrikulat shkollore. Komuna e Ferizajit ka specifikuar në udhëzimin zyrtar se orët mësimore duhet të përfshijnë nderimin e dëshmorëve, martirëve, veteranëve dhe të pagjeturve. Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, u ka dërguar thirrje zyrtare mësimdhënësve për organizimin e këtij aktiviteti.
Komuna e Gjilanit i është bashkuar nismës për t'ia kushtuar orën e parë të mësimit historisë së UÇK-së. Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, konfirmoi se vendimi përfshin të gjitha nivelet shkollore në komunë. Hyseni theksoi se ky organizim shërben si mbështetje për pastërtinë e luftës së UÇK-së në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Komuna e Vushtrrisë i është bashkuar zyrtarisht nismës për t'ia kushtuar orën e parë mësimore historisë së UÇK-së. Autoritetet lokale në Drenas gjithashtu konfirmuan zhvillimin e këtij aktiviteti në të gjitha institucionet arsimore të qytetit.