Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, deklaroi se gjuha shqipe është zyrtare në këtë vend për shkak të 20% të popullsisë shqiptare. Në një intervistë për Tëvë1, ai shpjegoi se përdorimi i saj rregullohet nga ligji për gjuhët, i ndryshuar disa herë për të përmirësuar të drejtat e komunitetit shqiptar.
Sipas Pendarovskit, një qytetar i panjohur ka paraqitur mocion në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ligji për gjuhët nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe kërkuar shfuqizimin e tij. Gjykata ka planifikuar një seancë për këtë çështje. Ai paralajmëroi se shfuqizimi do të përbëjë një problem të madh.
"Është zyrtare për shkak të 20% të njerëzve që jetojnë në këtë vend. Ndërkohë, ne kemi pranuar dy gjuhë juridike. Është ligji kryesor në anglisht, por është ligji në shqip, në esencë. Ligji i parë mendoj se është në vitin 2008. Dhe i fundit ishte në vitin 2007 e diçka. Pra, ne kemi ndryshuar këtë ligj disa herë duke përmirësuar të drejtat e shqiptarëve. [...] Gjykata Kushtetuese tashmë ka planifikuar një seancë për këtë çështje dhe do të jetë problem i madh nëse ata do të asgjësojnë këtë ligjin për gjuhët që kinse nuk është në përputhje me Kushtetutën", u shpreh ai.
Pendarovski theksoi se problemi kryesor qëndron te zbatimi praktik i ligjit, sidomos në institucione dhe sistemin gjyqësor. Shqiptarët mund ta përdorin gjuhën shqipe, por në shumë raste nuk zbatohet plotësisht. Ai vuri në dukje se është e rëndësishme të verifikohet nëse këto të drejta zbatohen në jetën e përditshme, jo vetëm si propagandë politike.