Procesi i gërmimit, vlerësimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore në zonën e Kalludrës në Zubin Potok është drejt përfundimit. Sipas deklaratës së Kushtrim Garës për RTK-në, operacionet në terren pritet të mbyllen brenda javës aktuale. Gara theksoi se pas kësaj faze, procesi do të vijojë me ekzaminimet laboratorike dhe analizat gjenetike, të cilat kërkojnë kohë dhe bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.
Aktualisht, ekipet janë duke punuar në lokacionin e tretë të dyshuar si varrezë masive, ndërsa kjo është java e katërt e angazhimit në këtë zonë. Institucionet e Kosovës, përmes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, po trajtojnë me përparësi të gjitha procedurat që bien nën kompetencat e ekspertëve vendorë.
Pas përfundimit të të gjitha analizave dhe identifikimit eventual të mbetjeve, Komisioni Qeveritar do të njoftojë familjet e viktimave. Familjet do të kenë të drejtën të vendosin për detajet e rivarrimit, si dhe të zgjedhin nëse informacioni lidhur me identifikimin e të afërmve të tyre do të bëhet publik ose jo.
Përditësime
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi përfundimin zyrtar të gërmimeve në lokacionet e dyshuara në Kalludër dhe Jabukë. Ekipet mjeko-ligjore gjetën mbetjet mortore të 23 personave gjatë këtij operacioni. Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) tashmë ka pranuar mbetjet për ekzaminim ligjor dhe kryerjen e analizave të ADN-së për identifikim.