Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të 14 janar 2026, situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e mëparshme. Nivelet e ujit në zonat e prekura kanë shënuar ulje.
Në zonën Obot, niveli i ujit në aksin rrugor që lidh fshatin me rrugën kryesore ka rënë rreth 10 cm, duke arritur në 90 cm. Aksi rrugor vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse qëndrojnë në gatishmëri të plotë në Obot për të garantuar aksesin dhe ndihmën ndaj banorëve. Varkat janë të pranishme në terren për transport dhe ndërhyrje në rast nevoje. Raportohet prezencë uji në oborret e disa banesave, por jo në brendësi të tyre.
Në Njësinë Administrative Dajç, konkretisht në zonën Urrelat–Shirq, niveli i ujit ka ulur rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Prezenca e ujit vijon në kanalet kulluese të tokave bujqësore, pa depërtim në banesa.
Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është si vijon:
• Dajç: 80 ha
• Velipojë: 100 ha
• Ana e Malit: 530 ha
• Bërdicë: 50 ha
• Totali: 760 ha
Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, me monitorim të pandërprerë nga strukturat përgjegjëse.