Situata e emergjencave civile në territorin e Qarkut Shkodër raportohet e qëndrueshme dhe në përmirësim nga bashkitë dhe institucionet përgjegjëse. Në Bashkinë Shkodër konstatohet stabilizim i gjendjes me tendencë të lehtë rënieje të nivelit të ujit.
Në zonën e Obotit problematikat nga reshjet e fundit vazhdojnë, ku sipërfaqe të tokave bujqësore mbeten nën ujë dhe aksi rrugor që lidh fshatin me rrugën kryesore ka rreth 40-45 cm prezencë uji. Autoritetet njoftojnë se niveli i ujërave është në rënie dhe nuk ka banesa të rrethuara. Në mbështetje të banorëve janë vendosur mjete të kalueshmërisë së lartë në gatishmëri për ndërhyrje sipas nevojave.
Nivelet e ujit dhe infrastruktura
Nga monitorimet e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet në pikat kryesore mbeten nën kuotat kritike: niveli i liqenit është 7.90 m, ndërsa lumi Drin 7.70 m, me prirje rënieje krahasuar me orët e mëparshme. Nuk raportohen probleme në funksionimin e kanaleve kulluese, argjinaturave mbrojtëse apo digës së rezervuarit të Shtodrit.
Sa i përket infrastrukturës rrugore, në aksin Bogë-Theth reshjet kanë pushuar dhe rruga është pastruar e zgjeruar deri në zonën e Qafë Thorës, pranë tunelit të parë. Strukturat përgjegjëse dhe mjetet e ndërhyrjes qëndrojnë në gatishmëri për ndryshime atmosferike.
Situata në bashkitë e tjera
Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, Bashkisë Malësi e Madhe, Bashkisë Pukë dhe Bashkisë Fushë-Arrëz gjendja paraqitet e qetë dhe nën kontroll, pa raportime për emergjenca apo dëme. Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vazhdon monitorimin në terren në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse.